Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë tregoi se javën e ardhshme do të udhëtojë në SHBA për të marrë pjesë në
“Lutjet e Mëngjesit” dhe tha se ka edhe një agjendë të ngarkuar.
Ai tha se është mirë për Kosovën që të shkojnë sa më shumë përfaqësues të saj në këtë shtet mik dhe sa më shpesh, njofton Klan Kosova.
Haradinaj këtë e tha duke shpresuar që SHBA do të gjejë një zgjidhje edhe për Kosovën dhe Serbinë ashtu siç bëri me Izraelin dhe Palestinën, pavarësisht se kjo e fundit e quajti komplot.
“Kosova dhe Amerika kanë marrëveshje të interesit të lartë. Unë atje po shkoj ta forcoj atë lidhje dhe miqësi që është e posaçme. Në Amerikë i dinë bindjet e mia, por nuk është e mirë kur kemi mendime të ndryshme për temat e njëjta. Megjithatë, është e mirë që Kosova të shkojë aty ku ruhet interesi i territorit dhe kufijve”.
“Tani ka ardhur një energji e re me të dërguarin e presidentit Trump, ambasadorin Grenell dhe kjo është e mirëseardhur për ne. Çdo marrëveshje që hiqet mes nesh dhe Serbisë, mbetet më pak dhe kjo më pak është njohja reciproke në kufijtë ekzistues, për këtë qëllim jemi të interesuar të përfundojë më shpejt”.
Haradinaj tha se marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk po përshpejtohet, por se për këtë Kosova ka pritur plot 20 vjet.
“Të shfrytëzohet edhe kjo që të përgatitet marrëveshjet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues që është ligjore në mënyrë që të vjen edhe dita që të ndodhë një takim intensiv dhe jo një dialog i stërzgjatur siç ka ndodhur me Mogherinin deri në marrëveshje”.
“Plani i marrëveshjes për Izraelin dhe Palestinën i lajmëruar nga Trump na jep një shpresë të madhe që mund të vijnë edhe me ide konkrete edhe për rajonin tonë. Nuk besoj që SHBA do të investojë miliona dollarë sepse ne jemi në Europë dhe BE e paguan koston”.

















