Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Ky i fundit erdhi në Kosovë për të nisur vitin me këtë vizitë pune dhe deklaroi se është optimist se ky vit i ri se do të sjellë progres në proces.
Haradinaj tha se emisarin europian e ka njoftuar me qëndrimet e partisë së tij për formimin e institucioneve të reja, ndërsa i ka shprehur mirënjohje Bashkimit Europian për rolin ndaj Kosovës.
“Sot prita Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, z. Peter Sørensen. Në takim çmova rolin e tij dhe të Bashkimit Evropian, duke theksuar po ashtu rëndësinë e partneritetit BE–SHBA për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajon. E njoftova z. Sørensen për qëndrimin e Aleancës për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet, si dhe për angazhimin tonë në rikthimin e vendit në rrugën e integrimit euro-atlantik”, shkroi Haradiaj.
Takimin me Haradinajn, Sorensen e pati të fundit në kuadër të takimeve të tij me liderët e partive politike, të cilët i takoi me radhë pas takimeve me presidenten dhe kryeministrin në detyrë.
















