Haradinaj për Osmanin, Kurtin e Gërvallën: Sa herë që e përmendin Rugovën, atij i rrotullohen eshtrat në varr

E publikuar: 07/09/2024 15:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se po bëjnë luftë të pa kompromis për të fituar elektoratin rugovist në Podujevë. Haradinaj ka shkruar se secili prej liderëve përmes mashtrimit, pretendon se çmon vlerat e Rugovës.

Haradinaj në reagimin e tij të bërë në ditën e zbulimit të shtatores së Rugovës në Podujevë, ka thënë se Osmani, Gërvalla e Kurti sa herë që e përmendin Rugovën, ish-presidentit i rrotullohen eshtrat në varr.

Kandidati për kryeministër ka thënë se Llapi e ka merituar një shtatore të Rugovës për besnikërinë dhe besimin që llapjanët ia kishin dhënë sa kishte qenë gjallë. Haradinaj tutje ka shtuar se s’është keq të përmendet fjalori i Rugovës, që po të ishte gjallë do të thoshte: “Falënderoj Presidentin Biden, Kryeministrin Staimer, Kryeministrin Scholz, Presidentin Macron, Papën dhe miqtë e Kosovës. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e Kosovës.”.

Sipas Haradinajt, Kurti e Gërvalla nuk e thonë një gjë të tillë dhe as s’e mendojnë kurrë, ndërsa për presidenten Osmani thotë se edhe kur e deklaron, njerëzit çdo ditë e më pak i besojnë.