Haradinaj pas vizitës në SHBA: Në Amerikë e shohin Kurtin si një njeri me agjenda të dyshimta

E publikuar: 25/01/2025 17:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj tha se SHBA-ja e sheh shefin e qeverisë aktuale në Kosovë, Albin Kurtin si të painteresuar për marrëdhënia të mira me Amerikën.

Madje Haradinaj thotë se në Amerikë, Kurti shihet si njeri me agjenda të dyshimta.

Ai tregoi se këto iu thanë gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e inaugurimit të presidentit Donald Trump.

“Nëse s’do ketë ndryshim të qeverisë në Kosovë për fat të keq zhvillimet do të vështirësohen me Amerikën. Ekziston një përvojë e keqe e punës me qeverinë e udhëhequr nga Kurti, në Amerikë e vlerësojnë si jo të interesuar për marrëdhënie të mira me Amerikën, jo të interesuar me ecë Kosova përpara, e shohin si një njeri me agjenda të dyshimta, populiste, ky është një mendim i gati të gjithë bashkëbiseduesve. Është në interes të Kosovës me pas ndryshim në qeveri”, tha Haradinaj për “Info Magazine”.

Haradinaj po ashtu përmendi se çka kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë qëndrimit të tij atje.

“Ka ndodhur ndryshimi i administratës, ne shpresojmë të ndodh ndryshimi edhe në Kosovë, i qeverisë sonë. Unë kam dhënë vizionin tim se si mundemi me ecë përpara. Së pari besoj që dialogu është kryer, pra dialogu ka dhënë rezultatet e veta, dhe kam kërkuar që marrëdhëniet me Serbinë të kalojnë në bilaterale e jo më në dialog. Ne kemi marrëdhënie edhe me vendet jonjohëse, si me Greqinë, Rumaninë e Sllovakinë”.

“Po ashtu kam kërkuar që partneriteti strategjik i cili është në tentativë që shumë kohë të fillojë me qeverinë e re në Kosovë, dhe ajo që është më kryesorja, anëtarësimi direkt në NATO. Pra këto janë temat që i kam depërtuar. Ne e japim pozicionin e Kosovës, pra askush tjetër nuk mund të flas në emër të Kosovës, pos neve. Në këtë rast është mirë t’i japim qëndrimet tona para Serbisë dhe para çdokujt”, deklaroi kandidati për kryeministër.