Haradinaj pas vendimit të SHBA-së: Kurti po e çon vendin drejt humnerës

E publikuar: 12/09/2025 18:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të SHBA-së me të cilin pezullohet dialogu strategjik me Kosovën, duke i cilësuar këto si momentet më të errëta në historinë e Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për sjellje që, sipas tij, kanë qenë të papërgjegjshme dhe destruktive, duke e çuar vendin drejt një krize të thellë.

“Kosova po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet. Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

Në sfondin e vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, kreu i AAK-së ka kërkuar reflektim të menjëhershëm kombëtar, duke ftuar të gjitha partitë politike dhe shoqërinë civile që të marrin me seriozitet situatën aktuale.

“I ftoj të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë kosovare që urgjentisht të reflektojmë për situatën në të cilën gjendemi”, ka shtuar ai.