Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i tha kryeministrit të vendit, Albin Kurti, se nuk ka lënë asnjë bord të një kompanie publike pa e kapur.
Haradinaj tha se Kurti pati qejf ta kapte edhe gjyqësorin, por asnjë vend s’i nënshtrohet një njeriu.
“Asnjë vend s’i nënshtrohet një njeriu, e kam dëgjuar prej teje kryeministër këtë. Nuk ka me iu nënshtru Kosova një logjike të një njeriu asnjëherë”.
“Dikur i ke thënë Hashim Thaçit në këtë foltore “shko Hashim”. Ta deshi puna e shkoi Hashimi. Çka është më mirë në këtë Kosovën tënde”, është shprehur Haradinaj.
Tutje, Haradinaj iu drejtua Kurtit se “edhe unë po të them ty, shko Albin, veç s’mund të të them shko atje ku janë ata, por shko ku të duash ti, vetëm shko”.
Më tej, kreu i AAK-së pati kritika për qeverinë edhe për pagat e policëve, mjekëve, ushtarëve e AKI-së, duke thënë se janë të vetmit në rajon që s’iu është rritur paga në 2 vjet Qeveri Kurti.
“Unë e kuptoj nëse ia merr inati Serbisë ti Albin Kurti se të ka mbajtur në burg e të ka keqtrajtuar, por s’e kuptoj pse ia ke marrë inati shtetit tënd e të punësuarve në sektorin publik. Pse të vetmit polic të rajonit që nuk i rritet paga është polici i Kosovës”.
“Pse i vetmi ushtar që s’ka rritje rroge në më shumë se 2 vjet qeverisje, është ai i Kosovës. Pse nuk i rritet rroga doganierit, AKI-së, e pse ua ke marrë inati mësuesve që për 50 euro i ke mbajtur shkollat mbyllur”, tha Haradinaj.