Haradinaj: Nuk ka logjikë që deputeti të marrë rrogë dyfish më të madhe se kryeministri

E publikuar: 07/03/2018 23:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Haradinaj: 90 për qind e deputetëve kanë gjuajtur me armë

23:54 – Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka komentuar gjuajtjen me armë nga zëvendëskryeministri Dardan Gashi.

Duke thënë se kjo është traditë te shqiptarët, Haradinaj ka shtuar se nga 120 deputetë, 90 për qind e tyre i ka parë teksa gjuajnë me armë.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se megjithatë gjuajtja me armë është trend në rënie.

“Kam gjuajtur kur ka qenë vakti, tash ua kam lënë tjerëve. E kemi kulturë, e kemi traditë. Nuk mendoj se është lajm i mirë me pa lajme të tilla, por 120 deputetë që kemi 90 për qind të tyre i kam pa duke gjuajtur. Pa asnjë përjashtim partiak. Bile ju kam thënë të mos më detyrojnë që të flas me emra. E di se kjo është praktikë në trende të rënies. Nëse shohim para dhjetëvjetësh dhe tash e shohim që jemi mirë. Përpara s’ka pas dasmë pa armë”, ka thënë ai.


Haradinaj: Nuk ka logjikë që deputeti të marrë rrogë dyfish më të madhe se kryeministri

23:49 – Daut Haradinaj, deputet i AAK-së dhe vëllai i kryeministrit, ka mbrojtur vendimin për rritje të pagave të kryeministrit dhe stafit të tij.

Sipas tij nuk ka logjikë që një deputet të ketë pagë dyfish më të madhe se kryeministri.

“E di se s’ka qenë vendim popullist, por është e palogjikshme që kryeministri ta ketë pagën e 85 ose 86 në ranglistën e shtetit. S’është e drejtë që unë të marr 3000 euro e kryeministri 1100. Dihet që fati i shteti bie mbi supet e tij. E dimë që përgjegjësia kryesore është e tij. Mendoni që këshilltari i zëvendëskryetarit të Kuvendit e ka pagën 3000 euro. Flasim për prokurorinë, gjykatat e të tjerat. Nëse flasim për shumën është temë tjetër. Nuk besoj që Ramush Haradinaj e ka rritur pagën për vete. Besoj që më shumë institucionet duhet të kenë kushte më të mira për punë. Vendimi nuk ishte popullist”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse ky vendim ishte i drejtë apo jo, shteti duhet të krijojë kushte më të mira për punë në institucionet shtetërore.

“Duhet të krijojmë kushte më të mira për gjyqësor e institucione. Si shoqëri duhet të shohim përgjegjësi prej tyre. Ka shumë gjëra që Kosova i pret. Kemi pamjet e shëndetësisë. Duhet rritur buxheti atje. Nuk i kemi një spital të ri, 18 vjet pas luftës. Duhet të bëhet nivelizimi i pagave. Ka zjarrfikës që marrin pagë 150 euro. Te ne diskriminohen, ndërsa në vendet tjera janë heronj”, ka thënë ai.


Haradinaj: Me marrëveshjen mes presidentëve, Kosova kthen Kullën e Çakorrin dhe merr liberalizimin 

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se me marrëveshjen mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi për demarkacionin, Kosova ka siguruar fitore të dyfishtë.

Sipas tij, Kosova do të kthejë kufirin në Çakorr dhe Kullë, por edhe do të marrë liberalizimin e vizave.

“Nëse e kthejmë Çakorrin e Kullën dhe marrim liberalizimin e vizave është “win-win” (Fitore e dyfishtë). Fituese është Kosova”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se problemi që po vonohet votimi i demarkacionit është vetëm mungesa e numrave dhe se nuk ka mosmarrëveshje me LDK-në se si të shkruhet ligji.

Haradinaj ka thënë se më e mira do të ishte që deputetët e Vetëvendosjes të votonin pro marrëveshjes dhe që votimi të mos varet prej Listës Serbe, e cila ka kushte për të votuar. Ai ka thënë se numrat do të bëhen, por “pse të paguajmë çmim për një marrëveshje që mund të na sjellë dëme anësore”.

“Dëshira do të ishte të votonte Vetëvendosje meqë patëm një kauzë të përbashkët të kundërshtimit dhe kemi arritur një marrëveshje për rishikim të këtyre pikave kufitare. Edhe presioni i popullatës është i madh që t’i jepet vota pro për lëvizjen e lirë. Presioni dhe kërkesa jonë ka qenë rishikimi i Kullës dhe Çakorrit. Do të kthehen pikat aty ku ishin. Mendojmë se deklarata e presidentëve e bën të detyrueshme rishikimin. Do të mbërrijmë në Kullë e Çakorr. Qëllimi final është ta kthejmë kufirin aty. Mendoj se në këto rrethana Lista Serbe ka një dilemë se nëse do të votojë për këtë do të njohë edhe shtetin e Kosovës. Unë mendoj se do të duhej qysh moti ta pranonte. Pres që ka shumë deputetë të arsyeshëm dhe besoj se deputetë të Vetëvendosjes do të japin votë pro. Kam raport me plot që kanë mirëkuptim që e shohin si një zgjidhje e përbashkët”, ka thënë më tej ai.