Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, e cila të dielën ka qëndruar për një vizitë në Kosovë, është takuar edhe kryetarin e AAK’së Ramush Hardainaj, por nuk ka arritur ta bind këtë të fundit që të ndryshojë mendje për votimin e Gjykatës Speciale.
Këtë e ka konfirmuar këshilltari i kreut të AAK’së, Avni Arifi, i cili ka thënë për “Zëri” se edhe pas takimit me Victoria Nuland, ky subjekt politik nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale.
“Ne e dimë pozicionin e Qeverisë amerikane, e cila në vazhdimësi ka kërkuar që të mbështetet miratimi i Speciales, por AAK nuk do ta mbështes këtë Gjykatë në këtë formë se si është, por vetëm nëse krijohet një Gjykatë vendore”, ka thënë ai.
Sipas tij, takimi mes Haradinajt dhe Nuland, nuk duhet kuptuar si përpjekje e diplomates amerikane që AAK të ndryshojë qëndrim rreth Speciales.
“Nuk bëhet fjalë për ndryshim të qëndrimit të Aleancës edhe pas takimit të diplomates amerikane, Victoria Nuland”, ka treguar Arifi, edhe pse e ka konfirmuar se nuk ka qenë pjesë e këtij takimi, por që sipas tij, takimet me diplomatët perëndimor janë në vazhdën e takimeve të përditshme që zhvillon kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.