Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se beson se është çështje muajsh kur Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.
Haradinaj në Zona e Debatit në Klan Kosova ka insistuar se kjo marrëveshje historike mund të arrihet vetëm nëse taksa mbetet në fuqi.
“Ne e kemi ngritur temën tonë. Nuk më kanë trajtuar mua ose kryeministrin e Kosovës Angela Merkel, Emmanuel Macron ose Amerika, por e kanë trajtuar poseduesin e një teme. Për atë tema ka pasë interesim të Serbisë dhe të tjerëve. Ne që kemi poseduar diçka na kanë mbajt në tavolinë, na kanë dëgjuar me vëmendje, madje na kanë duruar – siç e kanë duruar tash Albin Kurtin i cili ka shkuar atje dhe ka filozofuar e ju ka mbajtur ligjërata”.
“Nëse tema jonë ka arritur deri këtu, nuk ka mbetur shumë deri te momenti kur mund të ndërhyjë presidenti Donald Trump dhe të thotë ‘enough is enough’ [mjaft është mjaft] – Serbia duhet ta njohë Kosovën. Kishte ndërhyrë dikur presidenti Bush në Shqipëri dhe kishte thënë që Kosova do të bëhet e pavarur”.
“Unë mendoj që jemi afër. Është çështje muajsh, pas zgjedhjeve në Serbi – deri diku nga muaji shtator, sepse në muajin nëntor janë zgjedhjet në SHBA ekziston kjo periudhë kohore kur administrata Trump dhe ambasadori Grenell mund të thotë ‘enough is enough, you have to recognize each-other’ [mjaft është mjaft, duhet të ketë njohje të ndërsjellë]”.
“Unë besoj që kjo është e mundur nëse ne vazhdojmë ta mbajmë taksën, të tregojmë respekt në elaborim, të mos filozofojmë tepër, por të themi se e kemi të pamundur kthimin në proces të padefinuar”.
Ish-kryeministri është shprehur shumë i bindur se nëse taksa hiqet tani pa marrë si kundërvlerë njohjen nga Serbia, atëherë vëmendja për dialogun Kosovë-Serbi do të bie drastikisht.
“Nuk mund ta heqim taksën dhe të kalojmë në etapën tjetër pa na u dhënë kontrata për njohje. Nëse ne e heqim taksën tash siç thotë Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe partitë e tyre [VV-LDK], atëherë pesha e temës tonë bie dhe nuk besoj se Grenell do të merret me ne”.
“Nuk do të ketë dikush arsye të merret me ne, sepse zjarri i peshës bie dhe ne biem aty ku kemi qenë para dy vjetëve – para se të bëhet Ushtria dhe shumë punë”.
“Çka i ndodh Kosovës që është diçka absurde? Më herët na ofertonte bota që ta suspendojmë taksën edhe me kundërvlera. Sot, Albin Kurti ka ofertuar që ta heqë taksën pa i marrë botës kundërvlerën”.
“Pa marrë asnjë kundërvlerë, zotëriu [Albin Kurti] na kthen shumë më ulët sesa që kemi qenë dhe bën hajgare me vendin e vet”.
A po viktimizohet Serbia që t’i bëjë presion bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presion Kosovës për heqjen e taksës?
“Kjo të ka bërë temë, prandaj edhe po na durojnë dhe dëgjojnë. Nëse e heqim taksën, do të kthehemi në mëshirën e rrjedhave. Ne po kthehemi në Qipro dhe Palestinë, prandaj edhe po alarmoj”.
“Nëse e heqim taksën, niveli jonë bie poshtë. Nuk jemi temë që është i rëndësishëm për të dyja palët. Pse është e rëndësishme për Serbinë atëherë që të arrihet marrëveshja finale kur hiqet taksa?”.
Haradinaj ka treguar se pse gjatë kohës sa ishte kryeministër nuk e mori vendimin që taksa 100 për qind të paktën të suspendohej.
“Qëllimi ka qenë që pesha e temës të vijë deri në këtë pikë që një ditë i ngarkuari i presidentit ta ketë mundësinë që të futet në temë dhe të thotë që duhet të arrihet marrëveshja finale”.
“Ne nuk mund ta japim kryesoren për pak, kryesoren duhet ta japim për kryesoren – për njohjen. Ky po e jep për asgjë. Kur është tema serioze, atëherë kyçen zyrtarët më të lartë. Nëse e heqim taksën, edhe ne na lëshojnë në nivel të temës, sepse nuk besoj që ambasadori Grenell do të merret më me ne”.
“Nëse del një zyrtar i Amerikës dhe thotë publikisht ‘Kosovë hiqeni taksën, sepse ne do ta përmbyllim procesin e njohjes së ndërsjellë’, atëherë hiqe taksën sot”.
“Nëse Amerika mund ta japë një ofertë që të na njohë pesëshja e BE-së dhe të bëhemi anëtar i NATO-s, unë jam sot që të hiqet taksa”.
“Unë jam prish me Kadri Veselin vetëm pse ka qenë një propozim për suspendim për 120 ditë me rikthim me automatizëm, ndërsa ky zotëria po do me heq. Tash po bën fjalor se çka nënkupton reciprociteti – një rrenë e kulluar”.
Por, çka nëse hiqet taksa?
“Nuk ka të drejtë t’ia bëjë dikush vendit të vet. Nuk ka të drejtë kjo qeveri të marrë vendime kaq kapitale pa konsensus. Është shumë gabim nëse shkojnë njëanshëm, sepse prishin çdo urë komunikimi dhe bashkëpunimi me opozitën dhe na obligojnë në veprime qytetare të caktuara për të shprehur revoltën”.
“Shpresoj që ka me dalë ndonjë i ri dhe ndonjë e re që të mos i lë këta njerëz që të hynë dhe të dalin pa i ngjye me ve. Besoj që këta njerëz ashtu si ia nxijnë jetën këtij vendi me vendime të tilla do të ketë qytetarë të këtij vendi që do t’ua nxijnë jetën dhe nuk do t’i lënë të tallen me këtë Kosovë”.