Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka qëndruar për vizitë tek Nëna Fatime, një 109 vjeçe nga Bardhoshi, për të cilën ai tha se personifikon nënën dhe sakrificën, jetën dhe familjen.
“Le të ngrejmë lart sot të gjitha arritjet e grave kosovare, sakrificën e rrugën e vështirë nëpër të cilën kaluan ato, dhe kontributin e tyre të pamohueshëm për Kosovën. Le të angazhohemi më tepër për të gjitha femrat që ende nuk gëzojnë vendin e merituar në familje e shoqëri, deri atje ku ajo nuk ka mundësi të shkollohet, të votojë, të zgjedhet, të drejtojë biznes, e të zhvillojë jetën e aktivitetin e saj pa dhunë e diskriminim”, tha Haradinaj me këtë rast.
Gruaja kosovare historikisht ka qenë shtyllë e familjes dhe kombit, andaj, tha ai, le ta nderojmë dhe respektojmë çdo ditë atë.
“Kur vajzat dhe gratë kanë qasje në edukim e punë, familjet dhe shoqëria janë më produktive. Unë angazhohem pandërprerë për këtë qëllim. Urime 8 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, përfundoi urimi i Haradinajt.