Haradinaj në konferencë të jashtëzakonshme me kërkesë për Kurtin: Dëgjoje Amerikën për targat

E publikuar: 03/11/2022 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për medie.

Haradinaj ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër kryeministrit Kurti. Ai tha se i ka kërkuar Kurtit që ta pranojë kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.

“Iu kam drejtuar me letër kryetarit të Qeverisë së Kosovës, z. Kurti si vijon, pra i kam kërkuar me urgjencë që të pranojë kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afat e kërkuar dhe të ndërpriten të gjitha veprimet për zbatimin e vendimit në fjalë”.

“Njëkohësisht i kërkoj kryetarit të Qeverisë që deri në marrëveshjen finale mos të ndërmerre asnjë veprim që rrezikon sigurinë e vendit, në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotni me SHBA-të. Po ashtu i kam kërkuar kryeministrit që të vëjë kontakt me këshilltarin nacional për siguri të presidentit Biden, z.Jake Sullivan, për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë  situatën aktuale të sigurisë në rajon deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke”.

Haradinaj tha se këto kërkesa i ka bërë për shkak të “situatës së sigurisë në veri dhe në brezin kufitar Kosovë-Serbi”.

“Pra janë këto tri kërkesa në letër, të cilat vijnë pas shqetësimin për situatën në veri dhe situatën e sigurisë në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë”.

 

Letra e plotë e Haradinajt:

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti

Me shqetësim po e përcjell situatën e sigurisë në veri të vendit, pas vendimit tuaj të fundit për targat. Askush, as brenda Kosovës e as partnerët tonë ndërkombëtar nuk e konteston të drejtën e Kosovës për të zbatuar ligjin në mbarë territorin e vendit.

Por, momenti aktual është i ndjeshëm dhe kërkon maturi e gjakftohtësi, në mënyrë që të mos rrezikohet procesi drejt Marrëveshjes Finale mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, ju kërkoj që me urgjencë të pranoni kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar dhe të ndërpreni veprimet që keni marrë deri tani për zbatimin e vendimit në fjalë.

Njëkohësisht ju kërkoj që deri në Marrëveshjen Finale, të mos ndërmerrni asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotni me Shtetet e Bashkuara. Ju inkurajoj që të kërkoni ndihmën e Këshilltarit Nacional për Siguri të presidentit Biden, z. Jake Sullivan për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon, deri në Marrëveshjen Finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke.