Haradinaj: Ndërtimi i paqes më i vështirë se vetë lufta e UÇK-së

E publikuar: 05/03/2018 10:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj gjatë fjalimit të tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se sot me respekt përulemi para të rënëve për liri, me lavdi të përjetshme për komandantin legjendar, Adem Jashari si dhe familjen Jashari.

“Disa nga më të mirët tanë zgjodhën që jetën t’ia dhurojnë vendit. Të kenë rezistencën para dorëzimit, pra zgjodhën shpresën. Familja Jashari përshpejtojë kohën, përmbushi shekujt, ndërroje epokën dhe mbeti përjetësisht në kujtesën e kombit si rast unik për liri e unitet. Jam i bindur se historia nuk do të përsëritet përderisa jemi unik dhe nuk kemi frikë të shohim të sotmen dhe të nesërmen në sy”, ka thënë Haradinaj.

Gjithashtu ai ka thënë se sot në 20 vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe 21 anëtarëve të ngushtë të familjes Jashari e familjarëve të tjerë të rënë për liri, duhet të shohim së pari se ku jemi në raport me ndërtimin e shteti modern, në raport me invalidët e luftës dhe të shohim se sa politikanët u kanë qëndruar afër të gjithë atyre që dhanë shumë për liri.

“20 vjet pas flijimit heroik, duhet të respektohemi për të djeshmen, të sotmen dhe rrugën tonë drejtë të ardhmes. Ndërtimi i paqes është më i vështirë se vetë lufta.Të ndërtojmë një Kosovë çfarë e ëndërruan luftëtarët. Kemi ecur 20 vjet n ë liri dhe të arriturat janë të dukshme, liria ka dimensione të tjera, një kulm mbi kry, një punë e një pasaportë që të tjerët nuk e shohin me dyshim.Ftoj shqiptarët, liderët politike por edhe gjithë shqiptarët e komuniteteve për t’i mbrojtur idealet e lirisë dhe për të ndërtuar Kosovën e së ardhmes. Kosovën shtëpi të të gjithëve pa dallim, ku qytetarët gëzojnë të drejtën e jetesës lirshëm. Ne synojmë një ekonomi prosperuese duke shfrytëzuar resurset të cilat na e ka dhuruar Zoti”, ka përfunduar Haradinaj./rtklive/