Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar që mocioni të hidhet në votim dhe të ecet tutje, i bindur se Qeveria do të bjerë.
Ai ka thënë se Isa Mustafa do të largohet nga Qeveria, duke ia kujtuar atij kohën e koalicionit VLAN, kur ishte larguar nga aty për t’u bashkuar me PDK-në.
“Isa ashtu si ia pat bërë VLAN-it brenda natës, ashtu do të shkojë. Suksesi i kësaj Qeverie, se u përmend buxheti për veteranët. E kemi bë një ligj që i keni nda kategoritë, e shihni më vonë se sa ligj i mirë ka qenë”, ka thënë deputeti i AAK-së.
Haradinaj, gjatë seancës së Kuvendit u ka bërë thirrje deputetëve që të shkojnë në zgjedhje. Ai i ka komentuar replikat e deputetëve të koalicionit qeverisës, duke u thënë se nëse kanë pakënaqësi brenda koalicionit kanë pasur kohë tri vite që t’i thonë.
“Po shihet se partnerët e koalicionit janë marrë vesh qysh dje. Nëse keni pas pakënaqësi brenda koalicionit keni mujtë tash e tre vite me i shpreh. Ata që shitshin molar parës na tregoi se si do të ndodhë demarkacioni. Nuk keni nevojë që këtu t’i qëroni hesapet, nëse shkojmë në zgjedhje nuk kërcet kiameti”, ka thënë ai. /GazetaExpress/

















