Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vlerësuar grevën e minatorëve të Trepçës më 1989 duke thënë se ai akt u shndërrua në rezistencë popullore duke lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë.
Sipas Haradinaj qeveria e tanishme e ka neglizhuar këtë ndërmarrje.
“Sot, Trepça është duke u ballafaquar me mungesë të financave, me borxhe e prodhim minimal. Ndërkaq, punëtorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale e pa sigurim shëndetësor. Menaxhimi i dobët këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit. Nëse nuk intervenohet shpejt, gjendja do bëhet edhe më serioze”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe nga menaxhimi aktual, Haradinaj ka thënë se në kohën kur ai ishte kryeministër e riktheu Trepçën në burim jete.
“Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Ky ishte hap kyç për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave, punësim dhe për ta rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”, ka shkruar ish-kryeministri.