Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi ynë është i gatshëm për integrim në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim ai pret edhe mbështetjen e shtetit shqiptar.
Ai, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se janë dakorduar që dy vendet të kenë vendkalimet kufitare të zakonshme sikurse në shtetet e Bashkimit Evropian.
“Ndihemi mirë që në rrugëtimin e Kosovës në etapa, në s’kemi qenë kurrë vetë. Me së afërmi na ka qëndruar Shqipëria. Jemi të vendosur që rrugëtimin drejt BE ta bëjmë së bashku. Rrugëtimi ynë si shtet prapë është sfidë. E ndjejmë Shqipërinë dhe kryeministrin në përkujdesje ndaj Kosovës. Sot u dakorduam që kalimin kufitar ta kthejmë në kalim të zakonshëm si në vendet e BE-së, në mënyrë që të mos kemi pengesa administrative për qytetarët”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka mirëpritur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila do të mbahet më 27 dhe 28 nëntor në Shqipëri.
Me tej, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se pasi Kosova të ketë një qëndrim të qartë për Demarkacionin, atëherë do t’i drejtohet Malit të Zi për ta njoftuar me atë.
“Tema e demarkacionit është një fazë ku Kosova procedon me rregullativën e vet politike. Ne do ti drejtohemi vendit fqinj kur të kemi një qëndrim me të çartë të të gjeturave tona”, ka thënë Haradinaj në Tiranë, gjatë një konference, pas pritjes që i bëri kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
“Kosova ka një traditë të mire të bashkëpunimit me popullin e Malit Të Zi, por edhe Kosova ka qenë shumë e kujdesshme në momente kyçe të këtij shteti”, ka thënë nder tjera shefi i ekzekutivit kosovar, shkruan Gazeta Express.
Ndryshe, Ramush Haradinaj në ditën e parë të punës ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion, për të emëruar një komision të ri që të nxjerrë raportin për shënjimin e vijës kufitare mës Kosovës dhe Malit të Zi.



















