Haradinaj “lobon” te deputetët për demarkacionin

E publikuar: 22/02/2018 11:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kusari-Lila: Do të votojmë marrëveshjen e vitit 2015

[11:33] – Deputetja Mimoza Kusari-Lila në konferencën për media para se të fillojë seanca për votimin e demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se deputetë sot do të votojnë marrëveshjen e vitit 2015.

“Sot do të votojmë marrëveshjen e vitit 2015. Kësaj i janë shtuar deklaratat e presidentëve”, ka thënë Kusari-Lila.

“Deklarata e presidentëve që thotë se pas ratifikimit fillon puna e një trupi të përbashkët për korrigjimin e pikës kufitare”, ka shtuar ajo.

[11:25] – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arritur në Kuvendin e Kosovës dhe në sallën e Kuvendit ai po flet një për një me deputetët e Kosovës.

Supozohet se gjatë kësaj bisede të ketë kërkuar nga deputetët votën për demarkacionin.

Është vërejtur se Haradinaj më së paku ka qëndruar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilët gjithnjë po ia përkujtojnë se ai ka qenë në krye të protestave dhe në krye të peticionit kundër miratimit të demarkacionit.

Në Kuvend është edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili aty ka arritur 40 minuta para fillimit të paraparë të seancës së Kuvendit.

Delawie u bën thirrje deputetëve që të votojnë demarkacionin

[11:20] – Ambasadori amerikan, Greg Delawie në një deklaratë për media, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë demarkacionin me Malin e Zi.

Ai ka thënë se me këtë votim do t’u mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në Evropë.

“Jam këtu për të inkurajuar deputetë që të votojnë për demarkacionin”, ka thënë ambasadori amerikan.

Peticionin kundër demarkacionit deputetët e VV-së e marrin në Kuvend

[11:15] – Peticionin me mbi 200 mijë nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarët kundër marrëveshjes së demarkacionit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë marrë me veti në seancën e Kuvendit.

Këtë peticion deputetët e VV-së e kanë vendosur nëpër tavolina të Kuvendit në ditën kur pritet të dalë në votim marrëveshja e demarkacionit./koha.net/