Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, duke folur rreth seancës së radhës për Demarkacionin, thotë se janë në diskutim për datën e mbajtjes së saj, e cila mund të mbahet këtë javë apo në fillim të javës tjetër. Por thotë se ende nuk i kanë siguruar votat për demarkacionin, sepse po t’i siguronin ato, do ta thërrisnin menjëherë seancën.
Ai e ka bërë të qartë se nuk i kanë votat e Listës Serbe, derisa thekson se edhe me LDK’në i kanë disa detaje që duhet pastruar.
“Jemi në diskutim për datën. Pra për ditën e seancës dhe në diskutime të brendshme, me u bashku votat, se janë dy të tretat. Se nuk është një proces i lehtë. Besoj që jemi në ato përgatitjet finale. Mund të ndodh në fund të kësaj jave. Eventualisht në fillim të javës tjetër. Por nuk do të shtyhet më shumë… Jemi në komunikim dhe me Listën Serbe dhe me deputetët tjerë të partive politike shqiptare, me komunitetet… por ende nuk është definitive 2/3. Për ata jemi duke punuar që t’i kemi 2/3 e votave. Sikur t’i kishim sot të garantuara 2/3 të votave, sot do ta thirrshim seancën. Por meqenëse ende si kemi 2/3, pra koalicioni qeverisës, partitë shqiptare, komunitetet jo serbe e kanë dhënë votën. Lista Serbe ende jo. Pastaj kemi LDK-në që është deklaruar pro. I ka dhe disa detaje që duhet me i pastru me ta. Shpresoj që do të kemi dhe deputetë të tjerë shqiptar që do ta japin votën”, tha ai, raporton Kosovapress.
Haradinaj nuk flet për kushtet e mundshme të Listës Serbe në këmbim të votës për demarkacionin, por pohon se janë në diskutim me ta. Megjithëse thotë se ende s’kanë dakordim për votë.
“Në diskutim e sipër ka plot tema që trajtohen, që po diskutohen. Mirëpo ende nuk kemi një dakordim për votë”, tha ai.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra , thotë se do të ishte shumë e rëndësishme që çështja e demarkacionit të përmbyllej këtë javë, por ende nuk ka një qartësi rreth mbajtjes së seancës. Deliu shpreson që ky proces do të përmbyllet shpejtë, ndryshe thotë se rrezikojnë t’i humbin afatet kohore.
“Ashtu siç jeni të informuar, ne jemi në pritje, pavarësisht që ende nuk ka definitive një datë të caktuar. Ne jemi në pritje që do të ketë diçka të re brenda kësaj jave. Do të thotë ende diskutimet janë duke vazhduar dhe po presim që në afatet e caktuara kohore, ashtu siç është paralajmëruar të kemi një seancë këtë javë do të ishte e mirëseardhur. Do të ishte tejet e rëndësishme që ne ta përmbyllim këtë javë marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e ZI. Mirëpo përderisa negociatat dhe bisedimet ndërmjet partnerëve të koalicionit dhe Listës Serbe janë duke vazhduar, atëherë ne ende nuk kemi një qartësi lidhur me mbajtjen e seancës. Besoj që kryesia e kuvendit shpejtë do të informojë lidhur me mbarëvajtjen e seancës dhe kohen e saktë kur ne do të mblidhemi si Kuvend”, tha ajo. .
E deputeti i Nismës, Bilall Sherifi, thotë se ende nuk di asgjë rreth mbajtjes së seancës për demarkacionin dhe as për kërkesat e Listës Serbe.
“Ende asgjë nuk dimë. Ajo që unë mund të them këtu, që deputetët e Nismës për Kosovën pas marrëveshjes mes dy shteteve, që është nënshkruar në nivel të presidentëve, pas përpjekjeve të z. Limaj për të arritur tek ky konsensus mes partive politike dhe marrëveshjes me Malin e Zi, Nisma tashmë është e gatshme të votojë. Për të gjitha tjerat duhet t’i pyetni partitë veç e veç. Pyetni dhe Listën Serbe. S’mund të flas në emër të tyre… Koalicionin e ka lidh z. Haradinaj, z Veseli me Listën Serbe dhe z. Limaj. Iu sugjeroj që për këtë çështje t’i pyesni ata, sepse i tejkalon kapacitetet dhe informacionet që mund t’i kenë deputetët”, tha Sherifi.
Tri herë është tentuar që të mbahet seanca ku në votim do të vihej ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës.


















