Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ai është bindur se qeveria nuk do të bëjë asgjë të dobishme, sa i përket krizës ekonomike dhe asaj energjetike.
Po ashtu, i pari i AAK-së, ka thënë edhe se, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk e ka menaxhuar si duhet procesin e dialogut, ku sipas tij, ka bërë gabim pas gabimi, të cilat kulmuan me lëndimin e raporteve me aleatët amerikan.
Tutje, ai ka shtuar se është gabim i tmerrshëm, largimi nga këshillat dhe kërkesat e SHBA-ve.
Postimi i plotë:
Sonte para qytetarëve të Vushtrrisë, shpreha shqetësimin tim për faktin se situata në vend është përkeqësuar.
Sa i përket krizës ekonomike dhe asaj energjetike, jam i bindur se kjo qeveri nuk do të bëjë asgjë të dobishme. Është për keqardhje papërgjegjësia dhe injoranca e tyre në qeverisjen e vendit.
Ndërkohë, qeveria Kurti, nuk e menaxhoi si duhet procesin e dialogut, duke bërë gabim pas gabimi, që kulmuan me lëndimin e raporteve me aleatët tonë amerikan, të cilët ishin me ne në të gjitha fazat e rrugëtimit tonë drejt lirisë, Luftës Çlirimtare dhe shtetndërtimit.
Largimi nga këshillat dhe kërkesat e tyre, pikërisht në fazën finale kur pritej përmbyllja e Marrëveshjes ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke, është gabim i tmerrshëm.
Këto politika të dëmshme, mund të kenë pasoja shumë të rrezikshme për vendin, deri në karantinimin nga bashkësia ndërkombëtare.
Kryeministri duhet që sa më parë të kthehet nga kryeneqësia e tij, dhe mos t’i japë Serbisë mundësinë që të krijojë situata destabilizimi në Kosovë e rajon.