Haradinaj, Kurtit: Kryeministër, nuk ushqehet populli me ideologji

E publikuar: 08/03/2022 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka bërë me dije se ky subjekt politik sot ka nis procedurën për diskriminim që i bëhet qytetarëve të Kosovës me pagesën për rrymën, duke e cilësuar si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se qytetari i Kosovë nuk është duke u përballë vetëm me çmimin e naftës, por me pamundësinë për me siguru ekzistencën.“Situata në Kosovë është shumë më e komplikuar, nuk është veç punë nafte e punë akcize.

Qytetari i këtij vendi po përballet me pamundësinë me siguru ekzistencën, po rriten çmimet e gjithë artikujve të jetesës, rryma, nafta, vaji, sheqeri, buka, ilaçet edhe gjithçka tjetër”, ka shkruar Haradinaj.Ai ka bërë të ditur se AAK do ta dërgojë në Kushtetuese çështjen e çmimit të rrymës dhe lirimin nga pagesa për qytetarët në komunat veriore.

“Kemi qenë të shqetësuar gjatë gjithë këtyre muajve të veprimeve të kësaj qeverie antipopullore. Ka më shumë se 6 muaj që bëjmë presion te kjo qeveri ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale, e s’ka asnjë veprim. Përkundrazi ajo e rritë çmimin e energjisë për qytetarët shqiptarë, ndërkaq për serbët në veriun e vendit, vendos me ua pagu rrymën nga buxheti i shtetit”.

“Sot, e kemi nisë procedurën që këtë diskriminim ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, ka shtuar Haradinaj.Ai ka thënë se kryeministri Kurti në vend që të veprojë po mbanë fjalime letrare dhe filozofike në Kuvend, ku sipas tij ‘shtëpia nuk mbahet me llafe’.

“Përfundimisht, situata në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e rëndë, edhe në aspektin e ekzistencës e edhe të sigurisë. Kryeministri në vend që të veprojë po mbanë fjalime letrare dhe filozofike në Kuvend. Nuk ushqehet populli as me ideologji e as me ëndrra.

Nuk mashtrohen njerëzit me fjalë të bukura. Nuk mbahet shpija me llafe. Qeveria po kujton se mund të tallet me qytetarët e vendit, duke i lajthitur me do farë “epope të arsimit”. Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq pafytyrësi”.

“Prandaj, ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi së demaskuari këtë qeveri të dëmshme, pa marrë parasysh fuqinë tonë opozitare në Kuvend, por gjithnjë me shpresë se do të rritet populli opozitar që nuk do të bie pre e mashtrimeve dhe fjalëve të bukura të Kryeministrit, e që herëdokurë do t’ia japë përgjigjen që e meriton”, ka përfunduar Haradinaj.