Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nëpërmes një deklarate ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel.
“Për mua dhe Aleancën, çëshja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit”, thuhet në deklaratën e Haradinajt, shpërndarë medieve.
“Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interest nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”.
“Megjithëse nuk mund ta lë pa e përmendur se Aleancën si parti, por edhe Opozitën në tërësi, kryeministri Kurti këtë herë i kishte përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel”, ka theksuar kreu i Aleancës.
Ish-kryeministri Haradinaj ka shprehur mirënjohjen për të dërguarin amerikan Escobar, ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore i kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel.