Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se është i indinjuar që kryetarët e Listës Srpska në komunat veriore “i kanë hequr simbolet e Republikës së Kosovës dhe fotografinë e Presidentes”.
Haradinaj kërkoi që këto simbole “urgjentisht t’i rikthejnë në vendin që u takon”.
“Po ashtu, edhe nga Komuniteti Ndërkombëtar, BE dhe ShBA, që të ushtrojnë ndikimin e tyre që kryetarët e komunave nga komuniteti serb ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të punojnë në harmoni me to!”, tha Haradinaj.
Këtë deklaratë, kreu i AAK-së e bëri në një postim në Facebook ku uroi kryetarët e komunave nga partia e tij për betimin e dhënë.
“I përgëzoj të gjithë kryetarët e komunave që kanë dhënë betimin, me theks të veçantë 5 kryetarët prej radhëve të AAK-së dhe i inkurajoj të vazhdojnë punën e tyre në interes të qytetarëve dhe gjithmonë në përputhje me ligjin e Kushtetutën”.



















