Haradinaj: Kosova po e jep provimin e demokracisë, ju që s’keni votuar, shfrytëzoni këtë të drejtë

E publikuar: 09/02/2025 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova edhe një herë po e jep provimin e vet të demokracisë, ndërsa tha se është i lumtur që votimet deri tani kanë kaluar pa asnjë incident.

Haradinaj i ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre, që të bëhen pjesë e vendimarrjes duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Postimi:

Të dashur qytetarë të Kosovës me të drejtë vote,

Kosova edhe një herë po e jep provimin e vet të demokracisë. Jam shumë i lumtur që votimet e deritashme kanë kaluar pa asnjë incident serioz dhe në një frymë tolerante e krejtësisht demokratike.

Meritat më të mëdha për këtë mbarëvajtje i kanë vajzat dhe djemtë që janë marrë me organizimin e zgjedhjeve, shtabet e të gjitha partive politike dhe organet ligjzbatuese.

Meqenëse kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e kutive, ju që akoma nuk keni votuar, ju ftoj që ta shfrytëzoni të drejtën tuaj dhe të votoni. Vetëm me votë mund të bëheni pjesë e vendimmarrjes e t’i zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Parlament e në Qeveri.

Vota juaj është veprimi më i madh që mund ta bëni sot për vendin tuaj!