Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe ekonomike në Kosovë, duke e cilësuar gjendjen aktuale si jonormale dhe të dhimbshme për qytetarin.
Sipas Haradinajt, vendi po përballet me një situatë të paprecedentë, ku institucionet funksionojnë jashtë normave ligjore e kushtetuese dhe ku parlamenti, ndonëse i zgjedhur, mbetet i pezulluar.
Ai, përmes një postimi në Facebook, theksoi se debati publik është zhvendosur tërësisht në çështje politike, ndërsa problemet reale të qytetarëve po lihen në harresë.
“Atij njeriu i cili detyrohet të gjejë strehë ekzistence nëpër botë e atje të kryejë punë të rënda, që jo rrallë i kushtojnë edhe me jetë, siç ishte rasti i tre qytetarëve fatkeq që humbën jetën në një vendpunishte në Vjenë”, ka shkruar ai.
Haradinaj ngriti shqetësimin edhe për varfërinë në rritje, emigrimin masiv dhe rritjen e çmimeve, duke veçuar shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe vështirësitë në sistemin shëndetësor dhe arsimor.
“Më nuk po flasim për vargun e njerëzve që po e braktisin Kosovën. Për ata që nuk e lidhin fillimin me fundin e muajit. Që tryezën e kanë përditë e më të varfër. Për pushtetin që e shtrenjton rrymën sa herë që i teket. Për zhgënjimin e prindërve me sistemin shkollor të fëmijëve të tyre. Për të sëmurët që shërimin e kanë të papërballueshëm. E dhimbshme se si ndihmat prej 100 eurosh në prag të zgjedhjeve, që nuk janë më shumë se sa lëmoshë, po shndërrohen në mrekullinë e ‘çudibërësit’”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, ai vuri në dukje mungesën e investimeve kapitale dhe të huaja, si dhe zvarritjen e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
“Jemi i vetmi vend që brenda një viti i mbajmë katër palë zgjedhje dhe ku e bllokojnë zgjidhjen e na çojnë prapë në zgjedhje. Ku një parti politike e vetme, veç për propagandë, shpenzon mbi 4 milionë euro për zgjedhje e shumë miliona të tjerë nga ata që janë të obliguar t’i organizojnë zgjedhjet, të gjitha këto para të taksapaguesve. Në gjithë këtë periudhë kohe të jonormalitetit politik e institucional, viktima e vetme ka qenë qytetari i Kosovës. Ai është varfëruar, ai është përballur me sfidën e mbijetesës, ai ka emigruar…”.
“Prandaj sot është koha që ai ta marrë fatin në duart e veta. Këtë gjendje të rënduar mund ta ndryshojë vetëm sovrani dhe kjo bëhet vetëm duke ndëshkuar fajtorët për gjendjen në të cilën është. Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur. Këtu mund të sigurohet e ardhmja e sigurt jo vetëm për ne që jetojmë këtu, por edhe për ata qindra mijëra qytetarë që sot janë në diasporë. Unë kam shpresë për ditë më të mira!”, tha Haradinaj.



















