Kryetari i AAK’së Ramush Haradinaj thotë se Kosova po përballet me dy sfida të mëdha, qeverisjen e dëmshme dhe përzierjen e Serbisë në Kosovë.
Në një takim me bashkëatdhetarët në Zvicër në Kantonin e Asrgaut, Haradinaj tha se Kosova ende nuk është punë e kryer.
“Kosova ende nuk është punë e kryer. Kosova aktualisht po përballet me dy sfida të mëdha, me qeverisjen e dëmshme dhe me përzierjen e Serbisë në punët dhe në territorin e Kosovës!”, tha Haradinaj, sipas komunikatës për media nga AAK.
Lideri i AAK’së, ka thënë po ashtu se ai dhe AAK sot përfaqësojnë vizionin e ndryshimit në Kosovë, që është i paalternativë.
“Bashkatdhetarët tanë ndihmuan luftën dhe lirinë, e sot po e ndihmojnë edhe paqen, ndërkaq Zvicra e ka mbështetur Kosovën edhe duke e njohur pavarësinë e saj, ndër të parët”, ka thënë Haradinaj.
Sipas njoftimit për media të AAK’së, thuhet se përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër kanë shprehur shqetësimin e tyre për zhvillimet në Kosovë dhe thuhet se i kanë shprehur mbështetje “vizionit dhe angazhimit të zotit Haradinaj, për ndryshim”.