Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se mbështetja amerikane është jetike për Kosovën.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se përmes Autorizimit të Aktit për Mbrojtje (Defense Authorization Act), të nxjerr nga Kongresi Amerikan, i cili thërret administratën që të punojë me Republikën e Kosovës, Kosova nuk fiton vetëm mbështetje , por merr edhe obligime për t’i përmbushur standardet.
Haradinaj, në një postim në Facebook shkruan se mbështetja amerikane është jetike për Kosovën.
Më poshtë lexoni të plotë shënimin e Haradinajt:
Mbështetja amerikane për Kosovën është jetike. E tillë ishte edhe në kohë të rënda dhe e tillë është edhe sot.
Këtë javë, Kongresi Amerikan përmes “Defense Authorization Act” i ka bërë thirrje Administratës që të punojë me Republikën e Kosovës, për ta përgatitur atë për të hyrë në Programin e Partneritetit për Paqe.
Ky mesazh që na vjen nga SHBA-të, nuk duhet parë vetëm si një mbështetje, por edhe obligim yni që t’i përmbushim gjithë ato standarde, për të qenë një shtet i zhvilluar e demokratik.
Në këtë rrugëtim, Kosova ende ka nevojë për mbështetjen amerikane, në vendosjen qeverisjes demokratike dhe në luftimin e krimit dhe korrupsionit, si parakushte këto që Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane.
Kosova dhe SHBA-të do të jenë miq përhershëm.