Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në Shqipëri në vizitën e parë zyrtare, është pritur sot në takim nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Meta e përgëzoi Haradinajn për marrjen e përgjegjësive të reja, duke premtuar mbështetjen e vazhdueshme të shtetit shqiptar për Kosovën, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.
Presidenti i Shqipërisë e siguroi kryeministrin e Kosovës se Shqipëria do të jetë mbështetëse në proceset euroatlantike të Kosovës, duke vlerësuar rolin e tij në këto procese të rëndësishme për Republikën e Kosovës.
Haradinaj vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e institucioneve të Shqipërisë, duke veçuar edhe rolin e presidentit Meta në ngritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Poashtu, kryeministri kosovar tha se bashkëpunimi rajonal do të jetë në agjendë të Qeverisë së Kosovës gjatë këtij mandati, me theks me Republikën e Shqipërisë.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj kërkoi që institucionet e Shqipërisë të jenë zë i fuqishëm në shtimin e njohjeve për Kosovën, dhe mbështetëse në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, bën të ditur njoftimi.
















