Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar falje në emër të kushëririt të tij Nasim Haradinaj, i cili ditë më parë nëpërmjet një deklarate ofendoi familjarët e zyrtarëve të LDK-së të vrarë pasluftës.
Kryeministri në emisionin “Debat” në RTK tha se është mëkat që t’i merret si fjalë fyese deklarata e Nasim Haradinajt, përfaqësues i veteranëve të luftës, i cili nga mosha 14 vjeçare ka vuajtur dënimet e rënda nëpër burgjet e Serbisë, bashkë me gjithë familjet e tij, babin, nënën, motrat e vëllezërit.
“Apeloj tek të gjitha partitë: Mos e teproni, mund të fitoni vota edhe në forma tjera. Nasimin e kam kushëri. S’është njeri i keq dhe besoj shumë se nuk ia do të keqen LDK-së. Është familjar, i ka vdekur baba pa e njohur familjen e vet. Por ne në Kosovë nuk dimë të menaxhojmë nganjëherë dhimbjen tonë. Edhe një herë po them, ata që e njohin Nasimin nuk ish dashtë me marrë ashtu deklaratën e tij me konotacion negativ”, ka thënë Haradinaj duke kërkuar falje në emër të tij.


















