Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke folur para protestuesve tha se po vjen fundi i këtij pushteti.
Fjalimi i plotë i Haradinajt:
Të nderuar qytetarë, ngado që keni ardhë, faleminderit. Kjo është dita juaj. Më në fund erdhi. Me meritë. Urime.
Është bërë shumë gjatë dhe u bënë shumë herë që këta që po qeverisin e mashtruan qytetarin.
E thirrën qytetarin që t’ju besojë, që ti mbrojë nga armiku, do të thotë nga njëri-tjetri dhe e armiqësuan qytetarin, në kohët më të vështira për popullin tonë, duke i shkaktuar plagë të rënda vendit dhe shoqërisë. Armiqësi e cila u shfrytëzua nga të gjithë, kundër nesh.
Këta i thanë njëri-tjetrit vëlla, dhe u bënë bashkë vetëm në kohë të vështira për këta vet.
Ju kujtohet 14 shkurti 2014, kur Isa dhe Hashimi i përbinë të gjitha ato me të cilat na kishin armiqësu ma herët dhe u bënë bashkë për vete, që të shpëtojnë edhe ndonjë ditë nga qytetari, nga populli.
Por, edhe ditët e këtyre po perëndojnë. Po vjen dita juaj qytetarë. Po vjen dita juaj atdhetarë, dita juaj të rinjë e të reja. E drejta po fiton.
Këtyre sot iu thonë JO pikërisht ata të cilët u mashtruan gjatë prej tyre, atdhetari – në vlerat e të cilit u thirrën, intelektuali, i riu dhe e reja që e kuptuan mashtrimin e tyre.
Këtyre sot, të gjithë ne iu themi: JO – SHKONI.
Në ditët e fundit të tyre, për ta shpëtu lëkurën e vet edhe ndonjë ditë, e treguan dhe po e tregojnë egërsinë e tyre duke arrestu e shypë opozitën, e cila iu tha jo këtyre. I tha Jo – korrupcionit që e ka varfëru Kosovën,
JO – Kosovës pa ushtrinë e vet, JO “zajednicës” që na e bjen Serbinë në Kosovë, JO – demarkacionit, që nga Çakorri e bjen kufirin në Kuqishtë dhe nga Kulla e Zhlepit në Savino Vodë.
Këta po e humbin fuqinë, po e humbin kontrollin, këta po shkojnë, e bashkë me ta edhe korrupcioni, edhe “zajednica” edhe demarkacioni. Gjykata Kushtetuese ua konfirmoi këtë.
Këta që dikur na armiqsonin ndërmjet vete e që populli e ka kuptu hilen e tyre, e që nuk po munden me e mashtru më qytetarin e vendit, tani po duan me e tutë bashkësinë ndërkombëtare prej opozitës, dhe në panikë po shkojnë te miqt, e besa edhe te armiqtë me iu thanë se Kosova është në rrezik nga opozita.
Por miqt e dijnë të vërtetën për Kosovën dhe e njohin Kosovën e vërtetë. E Kosova e vërtetë nuk janë këta mashtrues.
Po mundohen me i frikësu të gjithë, edhe komunitete etnike në Kosovë, por nuk po ju bën punë më. Të gjithë e kanë kuptu hilen e tyre.
Edhe pse zor është me e ba Kosovën, Kosova do të fillojë me u ba kur të shkojnë këta.
Shkoni, që të bëhet Kosova,
Shkoni, që të ndalet korrupcioni,
Shkoni, që të ndodhë zhvillimi ekonomik,
Shkoni, që të kthehet Trepca…
Shkoni, që të mos i mbushim kampet e azilit nëpër Evropë,
Shkoni, që të kemi Ushtrinë tonë,
Shkoni, që t’i kthejm kufijt tanë,
Shkoni, që të kemi shtet me sovranitet,
Isë dhe Hashim – shkoni, se Kosova nuk ju duron ma.