Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në cilësinë e ish-Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia ka përcjellë kryetarit të Komisionit për Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, Agim Çekut, qëndrimin/propozimin e tij rreth përfshirjes dhe kategorizimit të pjesëtarëve të UÇK-së, respektivisht vlerësimit të statusit të tyre në zonën e tij të përgjegjësisë.
Përveç letrës dërguar Çekut, Haradinaj e ka informuar edhe presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa, duke ua bërë të ditur se gjatë organizimeve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpër fshatra dhe regjione të ndryshme janë formuar shtabet lokale/komunale të UÇK-së dhe në këtë kuadër shumë njerëz janë angazhuar në ngritjen e tyre.
“Krahas organizimit dhe profilizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, formimit të brigadave dhe njësive të tjera organizative, të njëjtit kanë vazhduar angazhimin e tyre në kuadër të UÇK-së. Ata, edhe nëse nuk janë përfshirë nëpër brigada dhe njësi të tjera organizative, kanë dhënë kontributin e tyre në shtabet lokale/komunale të UÇK-së dhe kanë qenë pjesë aktive e luftës sonë deri në çlirim”, ka thënë Haradianj.
Andaj, sipas ish-Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, shërbimi i tyre nuk përfundon me krijimin e njësive të tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nisur nga kjo, propozoj që të gjithë atyre që ishin pjesë e këtyre shtabeve lokale/komunale të UÇK-së t’iu njihet ajo që iu takon, statusi i ushtarit/veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së”, thuhet në letrën e Haradinajt.