Haradinaj: Grenelli ma konfirmoi se Ballkani është portfolio e tij

E publikuar: 25/01/2025 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ish-emisari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ia konfirmoi se Ballkani është portfolio e tij.

Në një intervistë për “Info Magazine” të Klan Kosova, Haradinaj shtoi se Grenellin duhet ta ftojnë në bashkëpunim sa më parë që është e mundur.

“Shqiptarët duhet të kenë kujdes, jo vetëm shqiptarët e Kosovës, në komunikim me administratën e re dhe me zotin Grenell. Ai ma konfirmoi se Ballkani është portfolio e tij, kjo është shumë serioze, diçka që ne nuk duhet me e marr si çështje jo fort me rëndësi. Ne duhet të komunikojmë me zotin Grenell herët, t’ia sqarojmë pikëpamjet tona, qëndrimet tona, të Kosovës, dhe që ta ftojmë atë në bashkëpunim”, tha Haradinaj.

“Ai pëlqeu idenë time për të kaluar nga dialogu, sepse dialogu është tjerr, të gjitha që kanë qenë për t’u diskutuar me Serbinë, të brendshmet po flas, ato janë sqaruar. Nuk kem arsye me e vazhdu më si dialog. Ne duhet ta kthejmë dialogun me Amerikën ose me BE-në, ndërsa me Serbinë është një bilateral, marrëveshje me një fqinj që është i keq, ka sjellje armiqësore. Por ne duhet të provojmë marrëdhënie fqinjësore, se s’kemi çka dialogojmë më”.

Haradinaj shtoi se ShBA-ja është e zhgënjyer me sjelljen e kryeministrit Albin Kurti.

“Në gjendjen e tashme ata nuk janë të kënaqur, janë të zhgënjyer me sjelljen e kryeministrit dhe qeverisë Kurti. Ajo që i ka habitur ka qenë një sjellje jo në nivel me administratën Biden, dhe kuptohet që ata presin prej Kosovës të tregohet serioze”.