Agjenda e ngjeshur e takimet me diskutime përmbajtjesore, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, të kenë qenë arsye që nuk u mbajt konferenca e përbashkët me përfaqësuesen e lartë, Federica Mogherini, raporton KTV.
Pas takimit të Këshillit të MSA-së, të premten në Bruksel, u raportua për takim të tensionuar, e një prej shkaqeve u tha të ketë qenë edhe kërkesa për përfshirje të SHBA-së në dialogun me Serbinë.
Kryeministri Haradinaj ka folur për një shpërputhje në agjendën evropiane me vendet e rajonit, kur bëhet fjalë te çështja e liberalizimit të vizave ose statusin e kandidatit.
I pyetur për aferën në EULEX, Haradinaj tha se janë të dëmshme për misionin, megjithatë, ka shprehur habinë se pse është pritur deri tash nga Malcolm Simmons për të folur publikisht.
U raportua se një kërkesë për përfshirjen e SHBA-së në dialog, nuk ishte mirëpritur nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini që e kishte lëshuar takimin, por që një gjë e tillë është mohuar nga zyra për media e saj.

















