Haradinaj: Filozofia komuniste ka përfunduar o Isa Mustafa

E publikuar: 14/05/2016 19:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, përmes llogarisë së tij në Facebook ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, përse ka zgjedhur pikërisht 14 majin për ta vizituar Komunën e Deçanit, ditë kur shumë qytetarë të kësaj komune, sipas Haradinajt, ishin në Prishtinë për të protestuar bashkë me Opozitën, njofton Klan Kosova.

“Kryeministër sot krejt Deçanin e ke pasur në Prishtinë, çka kërkove që shkova pikërisht sot në vizitë në Deçan? Kryeministër, nëse jeni frikësuar nga protesta masive, keni mundur bile të shkoni në Qyshk, Zahaq e Pavlan, atje ka qenë përvjetori i disa prej masakrave më të tmerrshme në Kosovë, apo ju nuk e keni idenë se çka janë ato, sepse në kohë të vështira, ju keni qenë në tjetër vend”.

Haradinaj ka shkruar se Mustafa duhet të analizojë kërkesat e popullit të Kosovës që janë shfaqur sot në Prishtinë, duke thënë po ashtu se “filozofia komuniste ka përfunduar”.

“Ju do të duhej të analizoni përgjigjen, por dhe kërkesat që sot i dha populli në Prishtinë, sepse ai është sovrani dhe jo filozofia prej komunisti. Ajo kohë ka përfunduar o Isa Mustafa”.

“Të rënët, që ju s’keni kohë t’i kujtoni, bashkë më të tjerët, bënë që të bashkohen brigjet e Bistricës Pejës, e jo të mbeten të ndara si ato të Ibrit në Mitrovicë. Kryeministër, populli sot ishte i bashkuar kundër vendimeve tuaja, për të cilat ju një ditë do të turpëroheni”.