Haradinaj falënderon ShBA-në për përkrahjen dhe besimin në rininë kosovare

E publikuar: 15/11/2024 21:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe besimin që kanë në potencialin e jashtëzakonshëm të rinisë kosovare.

“Çdo student që kthehet nga SHBA-ja sjell me vete jo vetëm diploma, por edhe vizion të ri, përvoja transformuese dhe rrjete profesionale që do të shërbejnë si katalizator për zhvillimin tonë ekonomik”, shkruan tutje Haradinaj në një postim në Facebook.

I pari i AAK-së po ashtu shton se përderisa ‘qeveria aktuale vazhdon të injorojë rëndësinë e arsimit cilësor, ne angazhohemi për zgjerimin e mundësive për studentët, si dhe krijimin e kushteve që profesionistët e arsimuar të realizojnë potencialin e tyre të plotë në Kosovë’.

“Kosova e fortë ndërtohet me dije dhe ekspertizë. Përmes programit KAEF, talentet më të mira të vendit tonë po transformohen në udhëheqësit e së nesërmes në universitetet më prestigjioze amerikane. Në festën e 20 vjetorin e Fondit Amerikan për Edukim në Kosovë, falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen, e veçanërisht për besimin që kanë në potencialin e jashtëzakonshëm të rinisë sonë. Çdo student që kthehet nga SHBA-ja sjell me vete jo vetëm diploma, por edhe vizion të ri, përvoja transformuese dhe rrjete profesionale që do të shërbejnë si katalizator për zhvillimin tonë ekonomik”, shkroi Haradinaj.