Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se Kosova nuk guxon të heqë dorë nga interesat e saja në dialogun me Serbinë, teksa është shprehur kritik me mos marrjen e njohjes në takimin e Uashingtonit.
Ai në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se ka dy shqetësime lidhur me procesin e dialogut, të cilat ia ka bartur partnerëve të koalicionit, derisa ka shtuar se asnjëra pikë e marrëveshjes nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Unë i kam dy shqetësime për dialogun, të cilat ua kam shprehur Hotit, Mustafës dhe Limajt. E para, trajektorja e dialogut ka një paqartësi. Dialogu u ngrit deri në nivelin më të lartë në Shtëpinë e Bardhë, me elemente historike në të, por ajo që na mungon është njohja. Ende nuk e kemi shpëtuar Ujmanin dhe duhet të bëjmë kujdes me fizibilitetin”, është shprehur ai.
Për më tepër, Haradinaj ka thënë se ishte në dijeni se Izraeli do ta njohë Kosovën muaj më parë. Ndërsa, sipas tij, propozimi i Blerim Rekës, ish-ministër i Integrimeve në Qeverinë Hoti dhe pika për hekurudhën në Portin e Durrësit janë të ndryshme.
Megjithatë, i pari i AAK-së ka lënë të nënkuptohet se disa elemente të Mini-Shëngenit mund të zbatohen vetëm pasi që Kosova të bëhet përfundimisht pjesë e Bashkimit Evropian.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Haradinaj tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po kalkulon që njohja e Kosovës të ndodhë në kohën e anëtarësimit të Serbisë në BE, ose kur Beogradi zyrtar të marrë datën zyrtare për hyrje në bllokun evropian.