Kandidati për Kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me partnerin e koalicionit, Fatmir Limajn nga Nisma Socialdemokrate, të mërkurën, kanë bërë homazhe në Memorialin për Masakrën e Reçakut, për nderim të 45 viktimave në 26 vjetorin e kësaj ndodhie makabre.
“Asnjëherë nuk do ndalemi së kërkuari drejtësi – për Reçakun dhe të gjitha masakrat në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në platformën sociale, Facebook.
Masakra e Reçakut, sipas tij, mbetet plagë e thellë në historinë e Kosovës, si dëshmi e pamohueshme e gjenocidit dhe krimeve serbe ndaj popullit tonë.
“Në këtë ditë përkujtimi, përulemi me respekt të thellë para sakrificës sublime të 45 civilëve të pafajshëm, të cilët u bënë viktima të barbarisë në zemër të Evropës”.
Haradinaj duke e cilësuar si “krim të tmerrshëm”, Masakra në Reçak, sipas tij, shënoi kthesën vendimtare në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.
“Sot, duke nderuar viktimat e Reçakut dhe të gjithë dëshmorët e kombit, jemi më të vendosur se kurrë që Kosova të ecë përpara e sigurt, direkt në NATO, krah aleatëve tanë strategjikë të udhëhequr nga Amerika”.
15 janari i vitit 2025 shënon 26 vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku pas një aksioni të tmerrshëm të ushtrisë e Policës së Serbisë, 45 civilë të pafajshëm mbetën të vrar.