Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me Gjykatën Speciale.
Kryetari i kësaj partie opozitare, Ramush Haradinaj, tha sot shkurt se deputetët e këtij subjekti politik, nuk do ta votojnë në Kuvend themelimin e Gjykatës Speciale.
“Jo, kam pas rast edhe të ju njoftoj. Ne kemi qëndrim politik, nuk e votojmë Gjykatën Speciale”, tha ai, raporton lajmi.net.
Presioni ndërkombëtarë për votimin e Gjykatës Speciale ndaj deputetët opozitarë në Kuvendin e Kosovës, është shtuar kohëve të fundit.
Ditë më parë, zyrtari i Departamentit Amerikan për Çështje e Krimeve të Luftës, Stephan Rapp, gjatë vizitës në Kosovë, u takua me krerët shtetërorë të vendit, duke iu bërë të qartë atyre se në rast se Kuvendi i Kosovës nuk e voton themelimin e Gjykatës, atëherë SHBA-të nuk do të pengojnë Rusinë që të themelojë një Tribunal për Kosovën në OKB.
Mediat po ashtu kanë raportuar se Departamenti Amerikan i Shtetit e ka ftuar Haradinaj në SHBA, për ta bindur atë që ta votojë Gjykatën Speciale.
Ndonëse AAK ka qenë bashkorganizatore e protestës së opozitës “Kundër kapjes së shtetit”, vetëm një ditë pas saj, Haradinaj u pa duke pirë kafe me kryeministrin Isa Mustafa.
Në këtë takim besohet se është folur pikërisht për rolin e AAK-së dhe qëndrimin e saj për Specialen.
Po ashtu, edhe shefi i zyrës së BE-së, njëherësh i dërguari special për Kosovë, Samuel Zhbogar, në vazhdimësi ka ftuar deputetët kosovarë që t’i votojnë ndryshimet Kushtetuese të cilat i hapin rrugë krijimit kësaj gjykate.
Ndërkohë, si çdo ndryshim kushtetues edhe formimi i Gjykatës Speciale kërkon dy të tretat e votës së dyfisht të Kuvendit, gjë që me qëndrimin kundër të partive opozitare, një gjë e tillë për momentin duket vështirë e realizueshme.