Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj e ka demantuar Blerim Shalën, duke thënë se askënd s’e kishte autorizuar për të folur për koalicion me PDK’në.
“Asnjë autorizim nga unë apo Kryesia e AAK-së nuk ka pasur as z. Blerim Shala, që në atë kohë ishte nënkryetar i AAK-së”, ka thënë Haradinaj, në një reagim në Facebook.
Ish-Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, ka thënë se Ramush Haradinaj e kishte autorizuar për të folur me PDK’në në kohën kur kishte dështuar koalicioni me LDK’në, VV e NISMA’n për formimin e Qeverisë.
Haradinaj ka thënë se ka qenë në dijeni se Blerim Shala kishte pasur kontakte me PDK’në pas prishjes së koalicionit VLAN por pa pëlqimin e tij.
“Si kryetar i AAK-së, përveç që nuk e kam autorizuar askënd, unë nuk kam qenë as në dijeni që takime të karakterit të tillë të kenë ndodhur. Jam në dijeni vetëm për kontakte të z. Shala me PDK-në, pas prishjes së koalicionit VLAN, por në asnjë mënyrë gjatë koalicionit VLAN”, ka shtuar ai.
“Për hir të informimit të drejtë të qytetarëve të Kosovës, strukturave dhe anëtarsisë së AAK-së, deklaroj se që nga dita e krijimit të koalicionit LAN, e pastaj VLAN, e deri në takimin e fundit të këtij koalicioni, asnjë zyrtar i Aleancës nuk ka patur asnjë autorizim të komunikojë, negociojë apo të diskutojë çështjen e mundësisë së koalicionit me PDK-në me asnjë zyrtar të PDK-së apo të tjerë”.
Koalicioni LDK, AAK, NISMA dhe Vetëvendosje e patën mbajtur të bllokuar gjashtë muaj formimin e institucioneve të Kosovës. Madje, ata patën ndarë pozitat shtetërore në kundërshtim me Kushtetutën. Në fund, ky koalicioni pati hequr dorë nga pozita e Kryetarit të Kuvendit dhe pastaj ishte prishur marrëveshja pasi LDK’së s’e deshironte Ramush Haradinaj për Kryeministër.
Ndërkohë, Thaçi pati thënë se edhe në kohën e koalicionit VLAN partitë një nga një kishin kërkuar koalicion me PDK’në.