Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, të cilët akuzoheshin për gjoja terrorizëm, si pjesëtarë të lëvizjes së Fethullah Gylenit – ka qenë “aksident i Kosovës”.
Haradinaj ka thënë se Kosova ka bërë shumë përparime në rend dhe ligj, dhe se skandali me gylenistët “ka qenë një gabim, një aksident i Kosovës”.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se ka biseduar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas këtij rasti.
“I kam siguruar institucionet e BE-së, Washingtonin, se ishte gabim”, ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini.
“I kam lutur ta mirëkuptojnë Kosovën në rrugën drejt integrimit në BE”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, “nuk është e thjeshtë situata, por nuk duhet të dobësohemi në perspektivën para nesh”.
Ai ka thënë se i ka dhënë sinjal BE-së dhe SHBA-së se Kosova po e korrigjon gabimin e bërë.
“Veprimi i menjëhershëm, me shkarkimin e dy përgjegjësve të institucioneve të rendit, mendoj se ka qenë një sinjal i fortë për BE-në dhe Uashingtonin se Kosova ka bërë gabim dhe po e korrigjon”, ka theksuar Haradinaj.