Haradinaj: Bashkatdhetarët edhe këtë vit do ta gjejnë Kosovën larg pritjeve të tyre

E publikuar: 16/07/2024 14:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, i ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve duke thënë se Kosova është larg pritjeve të tyre.

Ai ka thënë se kur të vijnë mërgimtarët do të donin të mos përballen me kolonat e gjata, pluhurin e rrugët e pakryera “si p.sh për Gjilan, Pejë, Gjakovë, Podujevë e Mitrovicë”

Haradinaj tha se qeveria i ka lënë ato përgjysmë.

“Mirë se vini në vendlindjen tuaj vëllezër e motra! Do të donim shumë që këtë verë ta gjenit Kosovën ashtu siç e ëndërroni, por për fat të keq akoma është larg pritjeve tuaja. E di që kur të vini do të donit që Kosova të jetë sikur ai vendi prej nga vini e që të mos përballeshit as me kolonat e gjata e as me pluhurin e rrugët e pakryera për qytetet e lindjes si psh: për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, për Podujevë, për Mitrovicë e kështu me radhë, të cilat qeveria jonë i ka lënë përgjysmë, si edhe shumë punë të tjera.”

Ai u ka thënë mërgimtarëve se do të priten me “bukë e krypë e zemër”.

“Ju jeni gjysma jonë dhe asnjëherë nuk do të jeni musafirë dhe sukseset e dështimet i kemi përbashkëta. Ju presim me bukë e krypë e zemër e ju urojmë pushime të mira në vendlindje. Të tjerat mos ja u falni e mos u besoni fjalëve të mira por boshe edhe një herë. Kosova dhe ju meritoni më mirë!”

Në fund, Haradinaj ka thënë se Kosovës i duhet ndryshimi në qeverisje.