Haradinaj arrin marrëveshje me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade

E publikuar: 13/09/2017 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdoi sot takimet me delegacionet e fshatrave Shipitullë dhe Hade, me të cilët një ditë më parë pati zhvilluar bisedat gjatë ditës deri në orët e vona të natës në Obiliq.

Kryeministri Haradinaj ka dëgjuar shqetësimet dhe problemet e delegacioneve të dy fshatrave të Komunës së Obiliqit për çështjen e shpronësimit të pronave të pasura me thëngjill, të domosdoshëm për furnizimin e rregullt të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Në bisedë me delegacionet e të dyja fshatrave të Komunës së Obiliqit, kryeministri Haradinaj ka arritur pajtueshmërinë për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre sipas modelit dhe praktikës së mëhershme të zbatuar në rastin e fshatit Hade. Njëkohësisht është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve të punësimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo marrëveshje mundëson që eskavatorët e KEK-ut menjëherë të rinisin punën në mënyrë që të garantojë furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

” Përveç kësaj Kosova mbi të gjitha përfiton, meqë një nga problemet e qytetarëve të saj është zgjidhur në harmoni të plotë me kërkesat e tyre”.