Haradinaj: Aludimet e Mustafës për vrasjen e aktivistëve të LDK-së, burracakëri e tij

E publikuar: 13/10/2015 17:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas statusit të kryeministrit Isa Mustafa, në të cilin ai kishte përmendur vrasjen e njerëzve të LDK-së. Ai ka thënë se nëse statusi i Mustafës ishte drejt tij, kjo tregon “burracakërinë e kryetarit të LDK-së”.

Haradinaj përmes një reagimi për media ka thënë se “Mustafa po provon të gjejë fije kashte për ta shpëtuar lëkurën e vet”.

Ai ka shtuar se Ibrahim Rugova nuk do të bënte veprimet që është duke i bërë Mustafa.

Isa Mustafa: Kërcënuesit nuk kanë lënë gjë pa premtuar për të qenë në pushtet
“Nuk e di se çka ka pasur ndërmend Isa Mustafa, kur e ka shkruar statusin e tij në Facebook, për vrasjen e aktivistëve të LDK-së dhe kërcënimet ndaj presidentit Rugova, por nëse edhe me pahir i ka shkuar mendja tek unë, (siç e paskan interpretuar disa media) kjo tregon burracakërinë e tij. Ai po provon të gjejë fije kashte për ta shpëtuar lëkurën e vet”

“Ia kujtoj Isa Mustafës se kur unë kam pasur marrëveshje burrash me presidentin Rugova, ai ka qenë si hijenë kundër tij, sikundër që është edhe sot, thellësisht kundër frymës së Ibrahim Rugovës, i cili as në atë dynja nuk do t’i kishte falur Bjeshkët e Rugovës! Lere Facebookun e kthjellu kryeministër, sepse edhe aty e mbyte shqipen!”, ka këshilluar Haradinaj kryeministrin Mustafa.