Haradinaj: AAK-ja e mbështet shpërbërjen e parlamentit vetëm nëse Kurti dorëhiqet ose shkarkohet

E publikuar: 13/05/2024 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që kryeministri Albin Kurti ka ardhur me nismën për shpërbërjen e parlamentit, por që AAK-ja e mbështet këtë gjë vetëm nëse Kurti dorëhiqet ose shkarkohet.

“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”.

“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”