Hapen lojërat, por ka shqetësime për shkelje të të drejtave

E publikuar: 13/06/2015 13:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kryeqytetin Baku të Azerbajxhanit mbrëmë kanë filluar Lojërat Evropiane, në të cilat për të parën herë në një nivel të tillë merr pjesë edhe Kosova.

Në ceremoninë e hapjes solemne, sportistët e Kosovës me flamurin e tyre, ishin në mesin e afro 6 mijë sportistëve të më se 50 vendeve, dhe 68 mijë shikuesve, në Stadiumin olimpik në Baku.

Lojërat i shpalli të hapura presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alyiev, ndërsa ishte i pranishëm edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Prej artistëve që morën pjesë në këtë ceremoni ishte edhe Lady Gaga, që e interpretoi një këngë të John Lenonit për paqen në botë.

Por, Lojërat Evropiane janë hapur derisa grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe organizatat mediale e kanë kritikuar qeverinë e Azerbajxhanit për goditjen ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe për burgosjen e dhjetëra aktivistëve opozitarë, avokatëve dhe gazetarëve.

“Represioni i qeverisë i shndërron Lojërat Evropiane në historike krejtësisht për arsye të këqija”, tha Rachel Denber, nga organizata Human Rights Watch (HRW).

HRW thotë se Lojërat Evropiane po mbahen në “një atmosferë të represionit të paprecedent të qeverisë në periudhën pas-sovjetike”.

Disa gazetarë të jashtëm dhe aktivistë nuk janë lejuar të marrin pjesë në këto lojëra.

Qeveria e Azerbajxhanit pretendon se kjo është fushatë e mediave për “diskreditimin” e lojërave, duke thënë se e përditshmja The Guardian dhe transmetuesi BBC janë pjesë e kësaj fushate të dyshuar.

Gazetarja e burgosur në Azerbajxan, Khadija Ismayilova, njëra nga reporteret më të njohura investiguese në këtë shtet, thotë se ky vend ndodhet “në mes të krizës së të drejtave të njeriut”.

Më tutje, në një letër të dërguar nga burgu, e cila është botuar në të përditshmen New York Times, Ismayilova, që ishte edhe bashkëpunëtore e Radios Evropa e Lirë, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të mos lejoj që qeveria e Azerbajxhanit ta “largoj” vëmendjen nga shkeljet e të drejtave të njeriut.

Një aksident para dy ditësh, me ç’rast përfaqësueset austriake në notin e sinkronizuar ishin lënduar pasi ishin qëlluar nga një autobus në fshatin e sportistëve, i ka vënë një hije të zezë ceremonisë së hapjes së lojërave.

“Ceremonitë ngjyra-ngjyra në Baku nuk duhet t’ia mbyllin sytë askujt ndaj qeverisë së Azerbajxhanit dhe gjendjes së tmerrshme dhe përkeqësuese të të drejtave të njeriut”, tha Chris Smith, kryesues i Komisionit të Helsinkit dhe anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Më tutje ai ka theksuar se “sytë e Evropës do të jenë në Baku” gjatë 17 ditëve të ardhshme dhe ka shtuar se “është pikëlluese që Komiteti Olimpik Evropian nuk kërkon që qeveria mikpritëse t’i kuptoj seriozisht të drejtat e njeriut”.

Sipas zotit Smith, “mbyllja e Zyrës së Radios Evropa e Lirë/Radio Liria në Baku, muajin e kaluar, ishte kulmi i fushatës së gjatë për heshtjen e një organizate të fundit të lirë mediale në këtë vend”.(rel)