Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ku është diskutuar perspektiva evropiane e vendit dhe domosdoshmëria e thellimit të integrimit.
Hamza thekson se një Kosovë më e zhvilluar dhe e integruar në familjen evropiane është objektivi kryesor i PDK-së.
Ai paralajmëron se qeveria e re, nëse udhëhiqet nga PDK, do të angazhohet që BE-ja dhe shtetet anëtare t’i heqin sa më shpejt masat sanksionuese të vendosura ndaj Kosovës.
“Një Kosovë më e zhvilluar dhe e integruar në familjen evropiane është synimi ynë. Këtë perspektivë e diskutova sot me Ambasadorin e BE-së, Aivo Orav. Qeveria e re e udhëhequr nga PDK-ja do të angazhohet që BE-ja dhe shtetet anëtare t’i heqin sa më shpejt masat sanksionuese ndaj Kosovës, në mënyrë që vendi të përfitojë nga projektet e përafrimit me BE-në. Mbesim të përkushtuar ndaj dialogut të hapur me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, në shërbim të së ardhmes evropiane të Kosovës dhe rajonit tonë”, ka shkruar Hamza.



















