Hamza: Ne po flasim tash për zgjedhje, janë të pashmangshme

E publikuar: 06/03/2026 14:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit ka thënë se është për keqardhje që vendi duhet me u përballë edhe me një palë zgjedhje, por që për këtë e lë fajtor Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Hamza pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se PDK ka qenë konstruktive dhe e hapur, dhe se VV ka pasë alternativa për të mos krijuar edhe një bllokadë.

“Ne ishim në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, ku diskutuam edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme. Shpreh keqardhjen që kemi ardhur deri në këtë moment, nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë se një alternativë. Përgjegjësia kryesore normalisht i bie partisë fituese, më të madhe, sepse ka mundur me i dhënë vendit president. Ne si PDK kemi qenë mjaftueshëm konstruktiv dhe të hapur dhe kemi bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme që vendit me i dhënë president. Unë nuk i kam dhënë vija të kuqe askund në bashkëpunim me asnjë subjekt politik. Kam folur se ka mundësi edhe për marrëveshje politike para se me u kriju qeveria, nuk e kemi prit askënd te dera për me na ftu. Iu jam përgjigjur gjitha ftesave për takime, nuk kam shku në detale ku mbahet takimi, kur bëhet e si u bë ftesa. Qëllimi ka qenë që vendit me i dhënë institucione dhe mos të vazhdohet me këto bllokada. Megjithatë, kërkesa jonë ka qenë e qartë, fillimisht marrëveshja politike dhe pastaj ne t’i japim emrat, sigurisht emra të dinjitetshëm që i kanë gjithë atributet dhe karakteristikat e nevojshme që me qenë president apo presidente e vendit që me përfaqësu vendin në mënyrë ma t’mirë t’mundshme”,”, tha ai.

Hamza teksa fliste për alternativat e VV-së, tha se nuk dëshiron të interpretojë Kushtetutën.

“Nuk kemi pasë marrëveshje paraprake politike, është kërku emri. Fillimisht kanë thanë nuk do të ketë emra subjektit politik, kanë propozu nji emër, pastaj kanë ndrruat emër, kanë dalë me dy emra, dhe unë e vrej edhe sigurisht shihet qartë tashmë veç u konstatua që nuk ka pasë nji vullnet plotë politik nga partia fituese që vendit me i dho stabilitet institucional. Nëse s’kish me i pëlqy marrëveshja me Partinë Demokratike, ka pas mundësi me Lidhjen Demokratike, ka pas mundësi me presidenten, dhe për ma tepër nuk e ka ftu fare as n’biseda partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Tash, ne e shprehmë qëndrimin tonë. Ne e dimë që janë dërgu disa shkresa, a do t’i trajtojë Gjykata Kushtetuese si të pranueshme apo të papranueshme në Gjykatën Kushtetuese çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka qenë i respektuar dhe i zbatuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Unë besoj që presidentja e ka analizuar mirë veprimet e veta, ka vepru në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e veta, megjithatë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pranueshëm për Partinë Demokratike të Kosovës. Ne mund ta komentojmë, po me interpretu kushtetutën është veç Gjykata Kushtetuese”,

Por se a do të jetë kandidat për kryeministër, ai tha se është ende herët të flitet për këtë.