Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka adresuar kritika ndaj Projektligjit për çmimet tavan.
Në seancën e sotme të Kuvendit, para votimit, ai shprehu shpresën që ky ligj të mos jetë në shpërputhje me Kushtetutën dhe të mos përdoret për qëllime politike, raporton KosovaPress.
Hamza iu kundërpërgjigj edhe akuzave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje se “disa oligarkë dhe operatorë ekonomikë që u vënë haraç bizneseve të vogla janë financues të PDK-së”.
“Nuk duhet të krijohet klimë antibiznes në Kosovë. Nëse ka shkelje ligjore, të gjithë mekanizmat duhet të veprojnë në zbatim të ligjit. Ne jemi për mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e kushteve të mira për bizneset, por këta terma që po përdoren këtu nuk kanë dobi dhe impakt pozitiv në klimën e të bërit biznes në Kosovë. Shumë prej atyre që po e përmendin fjalën ‘oligark’, as nuk dinë çka është oligarku, oligarkia dhe monopoli. Nëse ka fakte, PDK nuk e mbron asnjë shkelës të ligjit, as individ dhe as subjekt juridik. Dua të besoj se propozuesi kësaj radhe do të sigurohet që ligji të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Hamza.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, raporton KosovaPress.
Seanca e jashtëzakonshme po vazhdon me pikat e tjera të rendit të ditës, mes tyre edhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.
















