Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka qëndruar për dy ditë në Uashington. Ai thotë se është takuar me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe DASH-it.
“Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane.
Pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, isha i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, i sapoemëruar Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.W. Richardson Fellow pranë Fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës të Presidentit Trump. Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher”, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion.”
Hamza shton se është kthyer “jashtëzakonisht pozitiv” për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit Kosovë-SHBA.
“U ktheva jashtëzakonisht pozitiv për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.”
Ai ka thënë se Kosova do të kthehet në Uashington më e fortë se kurrë.
“Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencë.”

















