Xhabir Hamiti, Profesori i Fakulteti të Studimeve Islame, i ftuar në Info Magazine në Klan Kosova, i ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Bajramit dhe ka folur për fenë islame në përgjithësi, për luftën në emër të fesë islame dhe për tolerancën ndër fetare në mes shqiptarëve. Hamiti ka thënë se shqiptarët ende e ruajnë vlerën e respektimit të njëri tjetrit pa dallim feje.
“Shqiptarët nuk e kanë humbur tolerancën ndërfetare, ajo ndër ta është si Alfa dhe Omega”.
Duke folur për pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Shtetit Islamik, Hamiti e ka dhënë edhe arsyen e shkuarjes së tyre në Siri.
“Devijimi i skajshëm e shpëlarja e trurit po i dërgojnë njerëzit në luftëra”.
Hamiti gjithashtu ka theksuar se nuk duhet kultivuar frikën nga islami, për shkak se njerëzit që veprojnë keq duke u thirrur në të, nuk e përfaqësojnë fenë myslimane.
“Në momentin se dikush arrin në atë shkallë sa të sillet ashtu, ai njeri e ka humbur besimin dhe arsyen. Nuk duhet ta tolerojmë dikë të shkojë deri ën atë shkallë. Kur ka tendenca që në emër të fesë të kërcënohet dikush, atëherë rritet edhe islamo-fobia”.
Pasi që nga disa predikues të fesë islame, ishte përfolur figura e Nënë Terezës dhe heroit kombëtar Skënderbeut, profesori i studimeve islamike, ka pasur koment edhe rreth këtyre dy figurave të historisë shqiptare.
“Nënë Tereza ka kontribuar për të mirën e njerëzve kudo në botë, un nuk jam ai që e kontestoj kontributin dhe rolin e saj në këtë aspekt. Ndërsa, Skënderbeu është hero kombëtar sigurisht”, ka thënë Hamiti.
Pasi gjatë intervistës i është kërkuar që ta komentojë deklaratën e myftiut Naim Tërnava, ai ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.