Halli i shtatë femrave të familjes Hyseni të cilave nuk po u bëhet vend në Shtime

E publikuar: 08/11/2015 17:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë aq të lidhura me bagëtinë saqë nuk duan që t’i “shfrytëzojnë”, dhe me to vetëm shëtitin ndonjëherë nëpër male.

Sikur të mund të mendonte kthjellët, zjarrin për t’u ngrohur do ta ndizte në shtëpinë e saj, e jo në rrugë. Nëse koka e saj nuk do të mjegullohej nga mendime të këqija që nuk i ndahen asnjëherë, atëherë ajo do të ishte pranë vëllait të saj duke u kujdesur për shtëpinë dhe bagëtinë. S’do të jetonte kështu e mbytur në papastërti.

Shoqëruesit e saj më të mirë janë qentë e rrugës, e pushimorja e saj është tuneli tek rreth i lagjes Arbëria (ish-Dragodani). Aty e ndezë zjarrin, afron qentë dhe mundohet ta mbytë kohën gjithmonë në mendime. Në shtëpi nuk qëndron dot, ikë nga aty sa herë që e dërgojnë. E institucioni i strehimit në Shtime nuk e pranon, sepse aty nuk ka më vende të lira!

Kjo është jeta e Faziles, e cila rrugëve të qytetit shpesh rrezikon jetën e saj dhe të qytetarëve. Në raste kur ngacmohet, ajo di të jetë shumë agresive. Bilës edhe qentë që e shoqërojnë vazhdojnë të jenë rrezik për këmbësorët e kryeqytetit.

Diku në thellësinë e fshatin Keqekollë, gjendet shtëpia e saj, e cila përbëhet nga tetë anëtarë. Nëna Ajshe Hyseni me gjashtë vajzat e saj kanë probleme mendore. Vetëm tre nga këto vajza qëndrojnë në shtëpi. Ndërsa Ajshja me vajzat tjera po bredhin rrugëve të Prishtinës, duke e kaluar natën nëpër mbeturina, në shoqërinë e një tufe qensh.

Problemi i tyre nuk është varfëria. Ato kanë shtëpi, bagëti e asistencë sociale. Gjitha këto nuk shfrytëzohen pasi që asnjëra nga to nuk është në gjendje të menaxhojë më të ardhurat. Janë aq të lidhura me bagëtinë saqë nuk duan që t’i “shfrytëzojnë”, dhe me to vetëm shëtitin ndonjëherë nëpër male.

Për t’u ngjitur lartë tek shtëpia e familjes Hyseni, duhet kaluar një rrugë mjaftë e gjatë, e paasfaltuar, derisa arrin në majë, për të parë një jetë krejtësisht të izoluar. Atje as energji elektrike nuk ka.

Ndoshta ky izolim edhe i zbriti në kryeqytet Ajshen me tre vajzat e saj, të cilat Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë, i ktheu në shtëpi disa herë, por prapë ikën për në rrugët e Prishtinës.

Në shtetin e Isa Mustafës, femrat e familjes Hyseni e bëjnë një jetë krejtësisht jo-normale, duke rrezikuar çdo ditë më shumë vetën dhe të tjerët që u ndeshet rruga me to.

Në lagjen “Qëndresa”, vend i njohur si “Bunari i Hajratit”, po qëndrojnë dy vajzat e Ajshes. Aty është stacioni i tyre, bashkë me një numër të madh qensh.

Kjo po i shqetëson edhe banorët, meqë ata i kanë shtëpitë e banimit afër kësaj pike.

“Shumë shqetësuese, nuk na lenë të flemë, tërë kohën natën bëjnë zhurmë qentë me to, ato lëvizin, pa ushqim. Që nja dy tre vjet janë këtu, më herët jo. Dalin lart në këtë fushën këtu, kthehen prapë. Në mbrëmje afrohen rreth mureve, zhurmë, rreziku është i paevitueshëm”, tregon banori Mehmet Canolli.

Në këtë pjesë nata është mjaftë e frikshme, aty nuk ka ndriçim të rrugëve dhe vajzat Hyseni janë të shoqëruara me një numër të madh të qenve. Ndërsa vetëm disa metra më tutje është Prishtina plot drita. Të dy pjesët i përshkon për pesë minuta, terrin plot ferr të këtyre vajzave dhe qytetin me drita anën tjetër, aq afër që janë.

Ekipi i KosovaPress-it ka qëndruar afër këtyre vajzave ditën dhe natën. Ato ikin posa u afrohesh, sikur kanë frikë nga të gjithë. Mundohen të thonë diçka, por artikulimin e kanë aq të dobët saqë vështirë kupton diçka nga ajo që thonë.

Nëna dhe motra tjetër e tyre po qëndrojnë pranë një shtëpie të braktisur në lagjen Arbëria, apo siç njihet për të gjithë si “tek rrethi i Dragodanit”.

Vendi ku ato flenë është përplot gjësende të lëna pas dore. Një shtëpi që nuk ka derë të hyrjes, ku vërehet qartë se ato janë munduar ta bëjnë një të tillë, duke i vendosur një mbulesë sipër.

Fazilja shpesh largohet dhe shkon tek tuneli aty afër dhe e ndez zjarrin. Bisedon me vete dhe nuk i pëlqen nëse dikush i afrohet.

Ajshes dhe Faziles, Qendra e Shëndetit Mendor u ka rregulluar gjithë dokumentacionin për t’i dërguar në institutin në Shtime, por atje aktualisht nuk ka vend të lirë.

“Procedurat për strehimin e Ajshes dhe Faziles (nënë dhe bijë) janë kryer dhe janë pranuar në institutin në Shtime, mirëpo për shkak se nuk ka vend momentalisht, ato nuk kemi mundur t’i vendosim aty”, tregon neuropsikiatri Sami Rexhepi.

Ato nuk qëndrojnë dot në shtëpinë e tyre në fshat.

“Disa herë ka pas tentime. I kemi marrë në rrugë dhe i kemi kthyer në shtëpi, kemi provuar t’i rregullojmë kushtet më të mira në shtëpi, mirëpo ato prapë kanë zbrit në Prishtinë. Momentalisht janë rrugëve dhe janë të strehuara në rrugë, vend ku ato bashkëjetojnë më një numër të madh të qenve, që paraqesin rrezik për kalimtarët e lagjes për shkak se janë në afërsi. Kushteve higjienike… nuk mund t’iu thuhet as kushte se nuk ka kushte fare. Në rrugë ka shumë mbeturina përreth, që është edhe arsyeja pse ka shumë qenë përrreth”, thotë ai.

Përndryshe shtëpinë e kësaj familje në fshatin Keqekollë, nuk e braktisi asnjëherë vetëm Sadriu, djali i Ajshes dhe mashkulli i vetëm në familje. Atij do i duhej të kujdesej për gratë ë shtëpisë që pas vrasjes së babait të tij nga forcat serbe, por edhe ai e ka të pamundur tu bëjë ballë nënës dhe motrave të tij. Ai është i vetmi që fatmirësisht nuk ka probleme mendore. Atë çdo ditë e më shumë po e rëndon emocionalisht gjendja e familjarëve të tij.

Familje Hyseni ka dy shtëpi në Keqekollë. Njërën ua pati ndërtuar KFOR-i suedez, e që ka nevojë për dyer, dritare dhe rregullim të brendshëm.

Sadriu shpreson t’i rregullohet kjo shtëpi dhe t’i sillet energjia elektrike, përmes së cilave mendon t’i mbajë të bashkuara nënën dhe motrat.

Edhe ato tre vajza që janë aktualisht në fshat, nuk i mban bashkë në një shtëpi, janë të ndara mes vete.

Sadri Hyseni nuk di çfarë të bëjë dhe si të reagoj në situatat që e sjellin çikat e shtëpisë. Nuk i mban dot afër nënën dhe motrat, dhe as nuk mund të kujdeset për shtëpinë dhe bagëtinë pasi që gjendja e tyre mendore e pengon atë.

Janë aq të lidhura me lopët dhe pulat, saqë Sadriu nuk mund ta shfrytëzojë asnjërën për ushqim. Kështu, ka mbet i humbur në tërë këtë je të plot terr që i është rezervuar.

Gjendja e Ajshes dhe vajzave të saj çdo herë e më shumë po përkeqësohet.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi, thotë se zgjidhja e vetme e mbetur për to është vendosja në shtëpi rehabilituese.

“Nëse pak ngacmohen ose janë të acaruara, ato dinë edhe t’i ngacmojnë kalimtarët, që nuk është e lehtë për lagjen. Zgjidhja është vendosja. Këto tria që janë në shtëpi dhe janë funksionalizuar me vëllanë, nuk kanë nevojë, por këto të katërta që nuk ka mënyrë që t’i fusësh në shtëpi, duhet të vendosen në një institucion ku do të kenë një përkujdesje institucionale”, thotë ai.

Nga të gjitha, gjendja e nënës Ajshes dhe e vajzës së saj Faziles, është dukshëm më e rëndë. Andaj po shikohet mundësia që fillimisht ato të vendosen diku.

Rexhepi thotë se duhet rritur kapacitetet, meqë ekzistueset nuk po mjaftojnë. Sipas tij, duhet të ketë më shumë shtëpi integruese për persona me nevoja të tilla.

Femrat e familjes Hyseni, njëherë “dolën” nga ai izolim që e jetuan në Keqekollë dhe zor se kthehen prapë aty.

Dita i gjen nëpër të gjitha rrugët e kryeqytetit, e nata nëpër “kaçubat” që i kanë rregulluar vet, bashkë me qentë që jetojnë me to.

Problemi i tyre mendor është që nga lindja.

Sikur të ishte edhe një shtrat i lirë në institutin në Shtime, Fazilja nuk do të orvatej në këtë tunel. Atje, të paktën, do të kishte një përkujdesje e cila do ta mbante larg prej rrezikut për shëndetin e saj dhe të qytetarëve.

Me ushqimin e mbledhur në rrugët e Prishtinës, ajo afron qentë dhe në formën e saj bisedon më ta. Ndez zjarrin dhe e ngroh vetën në këto ditë vjeshte.