Rusia është shprehur e gatshme të përfshihet në dialogun Beograd-Prishtinë nëse ka përpjekje që të zgjerohet formati i dialogut dhe nëse në të përfshihet SHBA-ja.
Mirëpo, një gjë e tillë nuk do të jetë e favorshme për Uashingtonin e as Kosovën, vlerëson analisti politik, Dejan Vuk Stankoviq, transmeton lajmi.net.
Ai ka shtuar se edhe një mesazh i tillë mund të jetë shkak që procesi të ‘ndërprehet’.
Presidenti rus, Vladimir Putin ia ka konfirmuar homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq se Rusia është e gatshme të angazhohet në dialog për Kosovën në qoftë se formati i dialogut ndryshohet.
“Nuk është kontestuar kurrë se Rusia do të pranonte çdo zgjidhje për krizën e Kosovës edhe nëse Serbia pranon. Ekziston një çështje e modaliteteve të ndryshme të këtyre zgjidhjeve”, ka thënë Stankoviq.
Ai thekson se ‘procesi i Brukselit’ nuk është me vullnetin e Serbisë por të Kosovës dhe se në këtë kohë nuk ka progres pasi edhe Perëndimi ndodhet në një krizë të rëndë.
“Në këtë moment formati i ri nuk është në rendin e ditës dhe një ndërhyrje e tillë do të ‘zbehte’ marrëveshjet e Brukselit”.
“Mesazhi i Rusisë në pjesëmarrjen e mundshme nuk do të jetë i mirëpritur për shkak se të dy forcat kanë qëndrime të ndryshme përfshirë edhe Kosovën e cila po përdoret si konkurrencë në aspektin politik”, ka thënë analisti.
Ai shton se Rusia ka një qëndrim diametralisht të kundërt nga Perëndimi për çështjen e Kosovës pasi edhe nuk e njohu atë.
I pyetur se nëse në dialog do të përfshihen fuqitë e mëdha a do të ngadalësohej, Stankoviq thekson se tashmë është i ngadalshëm dhe jo me vullnetin e Beogradit por të Prishtinës dhe se ‘mentor politik’ i tyre është Uashingtoni.



















